Një 15-vjeçar është arrestuar në Shkodër, pasi dyshohet se shiste lëndë narkotike pranë një institucioni arsimor në lagjen “Vasil Shanto”.
I mituri u ndalua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në kuadër të operacionit të koduar “Shkolla të Pastra”.
Sipas policisë, 15-vjeçari, banues në Shkodër, u kap në afërsi të shkollës, ku gjatë kontrollit fizik dhe më pas në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan dhjetëra doza të dyshuara si lëndë narkotike Cannabis Sativa.
Dyshohet se i mituri e posedonte lëndën narkotike me qëllim shitjen. Substanca e sekuestruar është marrë në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për vijimin e hetimeve dhe procedurave ligjore.


