Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt, ka zhvilluar një vizitë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), i shoqëruar nga anëtarë të delegacionit amerikan dhe senatorë.
Gjatë vizitës, Wendt është takuar me kreun e SPAK-ut, Klodian Braho, si dhe me drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Joni Keta.
Fokusi i plotë i diskutimeve nuk është bërë ende publik. Sipas raportimeve, bisedimet janë përqendruar te bashkëpunimi në luftën kundër krimit transnacional, trafikut të narkotikëve dhe migracionit të paligjshëm.
Kjo është vizita e dytë e ambasadorit amerikan pranë drejtuesve të SPAK-ut që prej nisjes së detyrës së tij në Shqipëri. Më 5 tetor, Wendt dhe përfaqësuesit e Prokurorisë së Posaçme diskutuan rolin e institucioneve të pavarura në përballjen me këto sfida, si dhe mundësitë për forcimin e partneritetit mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e drejtësisë dhe sigurisë mbetet një element i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe rrjeteve kriminale ndërkombëtare.


