Qytetarët e Vlorës kanë protestuar për të gjashtën të shtunë radhazi kundër projektit për ndërtimin e muzeut hebraik në qendrën historike të qytetit. Protestuesit kërkojnë pezullimin e punimeve, duke shprehur shqetësimet e tyre për ruajtjen e historisë dhe trashëgimisë kulturore të Vlorës.
Gjatë tubimit të kësaj të shtune, qytetarët drejtuan akuza ndaj qeverisë, ndërsa organizatorët njoftuan se kanë depozituar një padi në gjykatë, ku pretendojnë shkelje ligjore gjatë realizimit të projektit.
Sipas organizatorëve, javën e ardhshme pritet një vendim paraprak për kërkesën e tyre për pezullimin e punimeve.
Protesta u shoqërua me tensione në përfundim të saj, kur disa prej pjesëmarrësve kërkuan rrëzimin e gardhit që rrethon kantierin e ndërtimit. Përpjekja nuk u realizua, ndërsa policia ndërhyri për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.
Në fund të tubimit, organizatorët paralajmëruan mundësinë e zhvillimit të një proteste kombëtare të shtunën e ardhshme, me synimin për të zgjeruar kundërshtimin ndaj projektit edhe jashtë qytetit të Vlorës.
Përplasja lidhur me projektin pritet të vijojë edhe në rrugë ligjore, ndërsa qytetarët kundërshtues këmbëngulin për ndalimin e punimeve deri në shqyrtimin e pretendimeve të tyre.


