Administrata e Presidentit amerikan Donald Trump po shqyrton një masë të re ndaj shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shtetet e Bashkuara me viza turistike ose biznesi dhe më pas kanë aplikuar për azil.
Sipas të dhënave të publikuara nga mediat amerikane, Departamenti i Shtetit po shqyrton mundësinë e revokimit të vizave B1 dhe B2 për deri në 200 mijë persona. Në listën e shtetasve që mund të preken nga kjo masë përfshihen persona nga vende të ndryshme të botës, mes tyre edhe Shqipëria.
Bëhet fjalë për viza të lëshuara gjatë periudhës 2016–2026, të cilat përdoren kryesisht për udhëtime turistike, biznes, vizita familjare apo trajtime mjekësore.
Departamenti i Shtetit ka bërë të ditur se po bashkëpunon me Departamentin e Sigurisë Kombëtare për identifikimin e personave që kanë hyrë në SHBA me qëllim qëndrimi të përkohshëm, por më pas kanë paraqitur kërkesa për azil.
Numri përfundimtar i personave që mund të preken ende nuk është përcaktuar. Zyrtarët amerikanë e kanë cilësuar atë si dinamik, ndërsa vendimet për revokimet pritet të njoftohen në javët e ardhshme.
Revokimi i vizës, sipas zyrtarëve, nuk do të nënkuptojë automatikisht dëbimin e menjëhershëm nga SHBA. Personat që kanë kërkesa për azil në proces mund të humbasin statusin e vizitorit për biznes ose turizëm, ndërsa çështjet e tyre do të trajtohen në përputhje me procedurat e emigracionit.
Administrata Trump ka argumentuar se vizat B1 dhe B2 nuk duhet të përdoren si një mënyrë për të hyrë në SHBA me qëllim qëndrimi të përhershëm përmes kërkesave për azil.
Masa e fundit vjen në kuadër të politikës së ashpër të administratës amerikane ndaj emigracionit. Gjatë muajve të fundit, SHBA ka ndërmarrë një sërë masash për forcimin e kontrolleve të emigracionit, përfshirë revokimin e vizave dhe kufizimin e disa kategorive të aplikimeve.
Për shqiptarët që kanë udhëtuar në SHBA me viza turistike apo biznesi dhe më pas kanë aplikuar për azil, kjo masë mund të sjellë pasoja të drejtpërdrejta, nëse plani miratohet dhe zbatohet.
Megjithatë, deri tani bëhet fjalë për një plan që po shqyrtohet dhe jo për një vendim përfundimtar.


