Banorët e fshatrave Shtiqën e Nangë në Kukës janë ngritur në protestë para Bashkisë Kukës, duke kërkuar zgjidhje për mungesën e ujit vaditës.
Banorët shprehen se prej tre vitesh përballen me mungesë të ujit për tokat bujqësore, duke rrezikuar të mbjellat dhe të ardhurat e familjeve që merren me bujqësi.
Sipas tyre, burimet ujore po përdoren për prodhimin e energjisë elektrike nga HEC-et, ndërsa uji nuk po shkon në kanalet vaditëse.
Protestuesit i referohen një marrëveshjeje, sipas së cilës nga 15 maji deri më 15 shtator duhet të garantohet uji për vaditjen e tokave bujqësore. Ata kërkojnë zbatimin e saj dhe rikthimin e ujit në kanalet vaditëse.
“Ka 3 vite që Shtiqëni thahet dhe shkrumbohet për mungesën e ujit vaditës”, u shpreh një prej banorëve.
Kanali i Shtiqënit mbulon rreth 820 hektarë tokë bujqësore, ndërsa aktualisht rreth 120 hektarë janë të mbjella me misër, jonxhë dhe grurë.
Banorët paralajmërojnë se do të vijojnë protestat nëse institucionet nuk ndërhyjnë për zgjidhjen e problemit dhe garantimin e ujit gjatë sezonit bujqësor.


