Policia ka vënë në pranga autorin e dyshuar të ngjarjes së rëndë të ndodhur në fshatin Zhymë, Lushnjë, ku një grua humbi jetën dhe bashkëshorti i saj mbeti i plagosur.
Sipas policisë, menjëherë pas ngjarjes u ngritën pika kontrolli në të gjithë zonën dhe forcat e rendit u vunë në ndjekje të 45-vjeçarit F. D.!
Pas kontrolleve dhe ndjekjes, i dyshuari u lokalizua pranë Spitalit Memorial në Fier, ku u arrestua rreth një orë pas ngjarjes. Në momentin e kapjes, ai po drejtonte automjetin e vëllait dhe dyshohet se po tentonte të largohej nga qarku Fier.

F. D. është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, së bashku me automjetin që drejtonte, ndërsa grupi hetimor vijon veprimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe zbardhjen e rrethanave.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar dinamikën dhe motivin e kësaj ngjarjeje të rëndë.


