Instituti i Shëndetit Publik ka nisur hetimin epidemiologjik në qarkun e Korçës, pas konfirmimit të rastit të parë me virusin e Nilit Perëndimor në Shqipëri. Ekipet e specialistëve kanë mbërritur në terren për të identifikuar praninë e mushkonjave që transmetojnë virusin dhe për të marrë masa parandaluese.
Rasti i konfirmuar i përket një 72-vjeçari nga Korça, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal të Korçës dhe po merr trajtimin mjekësor. Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se i moshuari është pickuar nga një mushkonjë teksa qëndronte në një lulishte në qytet.
Pas shfaqjes së shqetësimeve shëndetësore, ai iu nënshtrua analizave laboratorike, të cilat konfirmuan infektimin me virusin e Nilit Perëndimor.
Pas konfirmimit të rastit, një ekip specialistësh të ISHP-së nga Tirana ka nisur hetimin entomologjik dhe depistimin në vatër. Qëllimi është të përcaktohet nëse në zonë është e pranishme mushkonja bartëse e virusit dhe të identifikohen zonat ku mund të nevojitet ndërhyrje.
Në kuadër të masave parandaluese pritet edhe dezinfektimi dhe trajtimi i zonave ku mund të konstatohet prania e mushkonjave.
Ethet e Nilit Perëndimor transmetohen te njerëzit kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Shumica e personave të infektuar mund të mos shfaqin simptoma, ndërsa në raste të tjera mund të shfaqen temperaturë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, të përziera dhe të vjella.
Në raste më të rënda, infeksioni mund të prekë sistemin nervor dhe të shkaktojë komplikacione serioze. Autoritetet shëndetësore vijojnë monitorimin në terren për të vlerësuar situatën dhe për të parandaluar raste të tjera.


