Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Fierit kanë arrestuar në Berat 35-vjeçarin Bledar Çuni, i shpallur në kërkim për “Vrasje të mbetur në tentativë” ndaj Fabion Kuçit, i njohur në TikTok si “Guçi”.
Çuni dyshohet se është përfshirë në një ngjarje kriminale të ndodhur në dhjetor 2025 në Durrës, ku Fabion Kuçi u godit dhe u plagos me armë zjarri.
Sipas informacioneve të bëra publike, 35-vjeçari dyshohet se ka vepruar së bashku me persona të tjerë, mes tyre Fabjan Brahja dhe një shtetas me inicialet L.B.
Arrestimi është bërë pas një informacioni të marrë në rrugë operative nga strukturat e Policisë së Durrësit dhe Beratit, sipas të cilit Çuni ndodhej në një lokal në qytetin e Beratit.
35-vjeçari kishte shkuar në Berat për një festë familjare me rastin e përcaktimit të gjinisë së fëmijës së bashkëshortes së tij. Pas përfundimit të festës, policia ndërhyri duke bërë arrestimin e tij.
Në operacion morën pjesë edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të ardhura nga Fieri. Çuni u shoqërua në ambientet e policisë, ndërsa vijojnë procedurat lidhur me veprën penale për të cilën ishte shpallur në kërkim.


