Punonjësit e Policisë së Shtetit pritet të përfitojnë rritje pagash duke nisur nga 1 janari 2027. Sipas informacioneve të siguruara, masa do të përfshijë të gjitha nivelet e strukturave të policisë, me rritje të diferencuar sipas gradave.
Efektivët e rolit bazë do të përfitojnë një shtesë prej 20 mijë lekësh të rinj, ndërsa për punonjësit me grada më të larta, deri në nivelin e drejtuesve madhorë, rritja e parashikuar do të jetë 15 mijë lekë të rinj.
Kjo masë është cilësuar më herët nga kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Ervin Demo, si një ndër rritjet më të konsiderueshme të pagave për uniformat blu.
Vendimi i paralajmëruar vjen në një periudhë tensionesh, teksa protestat e ditëve të fundit janë shoqëruar me përplasje mes qytetarëve dhe forcave të rendit, duke vendosur në qendër të debatit publik mënyrën e menaxhimit të tyre nga Policia e Shtetit.
Ndërkohë, pak ditë më parë, qeveria njoftoi edhe një shpërblim prej 2,500 eurosh për punonjësit e policisë, si vlerësim për angazhimin gjatë protestave dhe përballimin e situatave të vështira e të rrezikshme.
Rritja e pagave pritet të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm, ndërsa mbetet për t’u publikuar dokumentacioni përfundimtar që përcakton zbatimin e saj.


