Viktima Denaldo Maxhallaku
Një 29-vjeçar italian ka pranuar autorësinë e vrasjes së Denaldo Maxhallakut, 31-vjeçarit shqiptar, trupi i pajetë i të cilit u gjet të mërkurën në një pus në zonën e Longianos, në Itali.
Sipas mediave italiane, i dyshuari nga zona e Cesenës ka deklaruar para hetuesve: “E bëra unë”, duke pranuar përfshirjen në krimin që dyshohet se ka ndodhur pas një konflikti për borxhe të lidhura me lëndët narkotike.
Denaldo Maxhallaku, me profesion bojaxhi dhe banues në Gatteo a Mare, ishte zhdukur mbrëmjen e 8 tetorit. Ai ishte larguar nga banesa duke i thënë bashkëshortes se do të shkonte në një lokal, por nuk u kthye më. Viktima la pas bashkëshorten dhe vajzën e tyre njëvjeçare.
Nga rindërtimi paraprak i ngjarjes rezulton se shqiptari ishte takuar me 29-vjeçarin në banesën e këtij të fundit, ku mes tyre dyshohet se kishte shpërthyer një konflikt. Gjatë debatit, i dyshuari dyshohet se ka nxjerrë një armë zjarri dhe ka qëlluar për vdekje 31-vjeçarin.
“Kam pasur frikë për veten dhe familjen time, jam ndier i kërcënuar”, mësohet të ketë deklaruar 29-vjeçari gjatë dëshmisë së tij.
Sipas hetimeve, pas krimit ai dyshohet se ka transportuar trupin e viktimës dhe e ka hedhur në një pus për të fshehur ngjarjen. Gjithashtu, dyshohet se i ka vënë flakën automjetit të shqiptarit për të zhdukur gjurmët.
I dyshuari ndodhet në ambientet e karabinierëve në Savignano dhe pritet të transferohet në burgun e Forlit, në pritje të seancës për vleftësimin e ndalimit.
Ndërkohë, autoritetet italiane pritet të kryejnë autopsinë e trupit të viktimës, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të krimit.


