Të paktën 68 persona kanë humbur jetën dhe 80 të tjerë janë plagosur pas përplasjes së dy trenave të shpejtësisë së lartë në Spanjë, në një aksident të rëndë hekurudhor të ndodhur të mërkurën pranë qytetit të Toledos, në rajonin e Castilla-La Mancha.
Sipas raportimeve mes të plagosurve janë 15 persona në gjendje shumë të rëndë. Ekipet e shpëtimit kanë vijuar kërkimet mes vagonëve të dëmtuar, ndërsa disa prej tyre kanë dalë nga shinat dhe kanë përfunduar në një shpat anësor të hekurudhës.
Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, e cilësoi ngjarjen një tragjedi të rëndë dhe deklaroi se e gjithë Spanja është në zi. Ai premtoi një hetim të plotë për të zbardhur shkaqet e aksidentit dhe për të identifikuar çdo mangësi të mundshme në sistemin e sigurisë hekurudhore.
Dy trenat u përplasën pas një sinjali të kuq
Sipas ministrit spanjoll të Transportit, Óscar Puente, aksidenti dyshohet se lidhet me një dështim të komunikimit kompjuterik, pas të cilit u dha një vendim i gabuar për rifillimin e lëvizjes së një treni të kompanisë Renfe, pavarësisht sinjalit të kuq dhe pranisë së një treni tjetër të ndaluar përpara tij.
Kompania Renfe konfirmoi se treni i saj vazhdoi udhëtimin pasi mori autorizimin për të lëvizur, por më pas u përplas me trenin e kompanisë Iryo, i cili kishte mbetur i ndaluar për arsye që ende nuk janë sqaruar. Shkaqet dhe rrethanat e sakta të përplasjes do të përcaktohen nga hetimet.

Në momentin e aksidentit, në trenin Iryo ndodheshin 147 persona, ndërsa në trenin Renfe udhëtonin 397 pasagjerë.
Dëshmitarët kanë përshkruar skena paniku, me pasagjerë që thyenin xhamat për të dalë nga vagonët dhe të tjerë që mbetën të bllokuar mes sediljeve. Në vendngjarje u angazhuan ambulanca, helikopterë dhe ekipe të shumta shpëtimi.

Aksidenti i dytë fatal brenda vitit
Kjo është tragjedia e dytë e rëndë hekurudhore në Spanjë brenda vitit 2026. Në janar, një tjetër aksident me trena të shpejtësisë së lartë shkaktoi 46 viktima, duke hapur debat mbi investimet dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës hekurudhore.
Kryeministri Sánchez deklaroi se dy aksidentet, sipas vlerësimeve fillestare, duket se kanë shkaqe të ndryshme, por theksoi se siguria e sistemit hekurudhor duhet të forcohet nëse hetimet zbulojnë mangësi.
Të dhënat e përmendura nga Reuters tregojnë se Spanja ka investuar shuma të konsiderueshme në rrjetin e saj të trenave të shpejtësisë së lartë, por një pjesë relativisht e vogël e fondeve është përdorur për mirëmbajtjen, rinovimin dhe përmirësimin e linjave.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që bilanci i viktimave të ndryshojë gjatë kontrolleve në vagonët e dëmtuar.


