Seanca gjyqësore ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhit në Gjykatën e Posaçme është shtyrë për më 5 nëntor, për shkak të vijimit të bojkotit nga avokatët, të cilët kundërshtojnë rregulloren e re të GJKKO-së.
Mbrojtësit ligjorë nuk morën pjesë në proces, duke pretenduar se nuk janë njoftuar sipas procedurave ligjore për pezullimin e bojkotit nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë. Gjykata vendosi gjobitjen e avokatëve me nga 30 mijë lekë dhe caktoi dy avokatë kryesisht për seancën e ardhshme, krahas mbrojtësve të zgjedhur Arben Peci dhe Artan Simoni.
Gjatë seancës, Ilir Meta kundërshtoi shtyrjen e procesit dhe kërkoi që t’i lejohej të mbrohej vetë, duke argumentuar se avokati i tij nuk mund të rrezikonte licencën për shkak të bojkotit.
“Nuk më duket e arsyeshme që e nisni gjyqin nga avokatët dhe jo nga unë, si i pandehur kryesor. Nuk është çështje mungese vullneti, por avokati im nuk mund të rrezikojë licencën”, deklaroi Meta.
Ish-presidenti vijoi me akuza ndaj mënyrës së zhvillimit të procesit, duke pretenduar se ndaj tij nuk ka akuza të bazuara.
“Ndaj meje s’ka asnjë akuzë, se po të kishte, do e kishit mbushur me kamera këtu”, u shpreh ai, duke kërkuar vijimin e seancës.
Meta nuk kurseu as ironinë ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, duke iu referuar transferimit të tij në Fier.
“Avokat, gjeni njerëz, çojini bukë, se as bukë nuk i çojnë se shau Vuçiçin”, deklaroi ish-presidenti.
Edhe Monika Kryemadhi kundërshtoi ndërprerjen e procesit, duke e cilësuar bojkotin si shpërdorim të profesionit të avokatit.
“Mendoj se bojkoti është shpërdorim i profesionit të avokatit. Kërkoj të vazhdojmë seancën, sikundër ramë dakord radhën e kaluar”, tha ajo.
Pavarësisht kërkesave të dy të pandehurve, Gjykata e Posaçme vendosi të mos e zhvillojë seancën pa praninë e mbrojtësve ligjorë.
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur në kuadër të hetimeve të SPAK që lidhen me çështjen CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në SHBA dhe hetimin pasuror. Ata përballen me akuza për vepra penale që përfshijnë korrupsionin, pastrimin e parave dhe mosdeklarimin e pasurisë


