Dy turistë ukrainas janë shpëtuar nga Policia Kufitare në Ksamil pasi mjeti lundrues me të cilin po lëviznin hasi vështirësi në det si pasojë e përkeqësimit të motit.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë patrullimit në zonën bregdetare të Ksamilit, efektivët e Njësisë Speciale Delta konstatuan një skaf të marrë me qira nga turistët, i cili po fundosej për shkak të erërave të forta dhe detit të trazuar.
Në bord ndodheshin dy shtetas ukrainas, të cilët rrezikuan seriozisht jetën. Pas sinjalizimit, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë duke bërë të mundur nxjerrjen e tyre në siguri.
Fatmirësisht, të dy turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk kanë pasur nevojë për trajtim të specializuar mjekësor.
Ndërkohë, autoritetet po punojnë për nxjerrjen e mjetit lundrues në breg, ndërsa Policia Kufitare apelon për kujdes të shtuar në det, veçanërisht në rastet e përkeqësimit të kushteve atmosferike.
Operacioni vjen në kulmin e sezonit turistik, kur fluksi i mjeteve lundruese në jug të vendit është i lartë dhe kontrollet për sigurinë detare janë intensifikuar.


