Kryeministri Edi Rama komentoi protestat dhe debatet që kanë shoqëruar investimin në zonën e Zvërnecit gjatë mbledhjes së zgjeruar të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku ishin të pranishëm deputetët dhe ministrat e qeverisë.
Duke iu referuar ngjarjeve të fundit dhe reagimeve në rrjetet sociale, Rama tha se përplasja mes një protestuesi dhe rojeve private të sigurisë u kthye në një debat të gjerë publik, i cili sipas tij u përdor për sulme politike ndaj qeverisë.
“Degradimi i dhunshëm i një sherri vulgar mes rojeve të sigurisë private dhe një protestuesi u bë zanafilla e një lufte globale online, ku nuk mbeti llogore pa shkrehur municionet përkatëse. Po të ishte për botën e Nartës, ajo mund të ishte kthyer qetësisht edhe 10 vite më parë, kur flamingot nuk shtegtonin më drejt lagunës së saj, sepse i priste plumbi i gjuetarëve të dehur me dy këmbë”, deklaroi Rama.
Kryeministri theksoi se sipas tij vëmendja ndërkombëtare nuk erdhi për shkak të çështjes së Nartës, por për shkak të emrit të investitorit të përfshirë në projekt.
“Bota nuk u zgjua prej fatit të Nartës, por prej emrit të Kushnerit dhe hijes së vjehrrit të tij, të cilin e urrejnë për vdekje të gjitha armatat online. Dhe si në një film, bulevardi përputhi atë arenë të frikshme me krejt armatën e urrejtësve shqiptarë, online dhe offline. Jo kundër Trumpit, por ndaj meje dhe ndaj jush”, u shpreh ai.
Rama shtoi se, sipas tij, kundërshtarët politikë shpresuan që jehona ndërkombëtare e protestës të ndikonte në zhvillimet politike në vend.
“I gënjeu mendja se çadra globale e kësaj proteste do të bënte mrekullinë që nuk e bëri dot çadra lokale e protestës së Lulit tim dhe kështu do të laheshin dy hesape të vjetra. Bota e madhe do ta turpëronte Trumpin në betejën e Nartës”, tha kryeministri.


