Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) ka evidentuar problematika në përdorimin dhe rregullimin e pesticideve në Shqipëri, duke ngritur shqetësime për sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e mjedisit.
Sipas auditimit për periudhën 2022–2024, në listën e produkteve për mbrojtjen e bimëve të lejuara për përdorim në Shqipëri rezultojnë 10 pesticide që, sipas raportit, ishin të ndaluara në Bashkimin Europian. Bëhet fjalë për Metaflumizone, Clofentezine, S-metolachlor, Spinetoram, Diethofencarb, Metribuzin, Spirotetramat, Metiram, Dimethomorph dhe Meptyldinocap.
Këto substanca përdoren në bujqësi për të luftuar insektet dëmtuese, sëmundjet kërpudhore dhe barërat e këqija. Sipas KLSH-së, mbajtja e tyre në qarkullim, në kundërshtim me listat përkatëse europiane, mund të sjellë pasoja për shëndetin e njerëzve, kafshëve dhe bimëve.
Kufij më të lartë për 14 pesticide
Një tjetër problem i evidentuar nga auditimi lidhet me normat e lejuara të pesticideve në produkte të ndryshme bujqësore. Sipas raportit, për 14 lloje pesticidesh, kufijtë e miratuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural kanë rezultuar disa herë më të lartë se normat përkatëse të Bashkimit Europian.
Mospërputhjet janë konstatuar për produkte si luleshtrydhet, patatet, rrushi, ullinjtë, mandarinat, lulelakra, domatet, kastraveci dhe shalqiri. Në disa raste, sipas KLSH-së, nuk janë përcaktuar fare kufij maksimalë për përdorimin e pesticideve, duke krijuar hapësira për abuzime.
Raporti thekson se listat e produkteve për mbrojtjen e bimëve të publikuara nga ministria nuk përmbajnë të gjitha të dhënat e nevojshme për kontrollin dhe transparencën, përfshirë afatet e vlefshmërisë së secilit produkt në qarkullim.

Rreziqe për shëndetin dhe mjedisin
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, këto mospërputhje mund të ndikojnë në sigurinë e konsumatorëve dhe të shkaktojnë ndotje afatgjatë të tokës bujqësore dhe burimeve ujore nga përdorimi i pesticideve.
KLSH paralajmëron gjithashtu për pasoja të mundshme ekonomike, veçanërisht për produktet bujqësore shqiptare të destinuara për eksport, pasi mospërputhja me standardet europiane mund të krijojë pengesa për tregtimin e tyre.
Gjetjet lidhen edhe me detyrimet e Shqipërisë për përafrimin e legjislacionit me atë të Bashkimit Europian, në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe akteve kombëtare për sigurinë ushqimore.
Raporti i KLSH-së evidenton nevojën për përmirësimin e kuadrit rregullator, transparencë më të madhe në listat e produkteve të lejuara dhe kontroll më të mirë të përdorimit të pesticideve, me qëllim mbrojtjen e shëndetit publik dhe të mjedisit.


