Mungesa e ujit të pijshëm prej katër muajsh ka nxjerrë në protestë banorët e fshatit Fushë-Buall në Elbasan. Përfaqësues të 92 familjeve u mblodhën para Bashkisë, duke kërkuar zgjidhje për ndërprerjen e furnizimit me ujë.
Sipas banorëve, problemi lidhet me dëmtimin e burimeve natyrore gjatë punimeve për ndërtimin e një hidrocentrali nga kompania koncesionare “Egnatia Hydropower”. Ata kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse për të verifikuar situatën dhe për të rikthyer furnizimin me ujë të pijshëm.
Banorët theksojnë se mungesa e ujit po vështirëson ndjeshëm jetën e përditshme, ndërsa kërkojnë një zgjidhje konkrete për problematikën që, sipas tyre, vijon prej katër muajsh.
Në protestë ishte e pranishme edhe këshilltarja bashkiake e Partisë Demokratike, Bianka Çopja, e cila kritikoi Bashkinë për mënyrën e trajtimit të shqetësimeve të banorëve.
Pas protestës, nënkryetari i Bashkisë së Elbasanit, Asim Sula, u premtoi banorëve ngritjen e një grupi të përbashkët pune, ku pritet të përfshihen edhe përfaqësues të ujësjellësit. Grupi do të inspektojë zonën ku po kryhen punimet për hidrocentralin, me qëllim verifikimin e problematikave të ngritura.
Megjithatë, 92 familjet e Fushë-Buallit vijojnë të presin rikthimin e furnizimit me ujë të pijshëm, pas katër muajsh pa këtë shërbim jetik.


