Rusia ka goditur gjashtë objekte energjetike në Ukrainë, vetëm disa orë pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se ishte arritur një marrëveshje për armëpushim në sektorin energjetik mes dy vendeve, ka deklaruar presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Pavarësisht deklaratës së Trump të dielën se armëpushimi do të hynte në fuqi menjëherë, Zelensky tha se sulmet ruse kishin shënjestruar stacionet e gazit, infrastrukturën energjetike dhe objekte të tjera në territorin ukrainas.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Ukrinform, qyteti i Izyumit mbeti pa energji elektrike pasi një sulm rus shkatërroi rrjetin e furnizimit. Gjatë natës u goditën gjithashtu infrastruktura energjetike dhe hekurudhore në Ukrainën perëndimore.
Presidenti ukrainas bëri të ditur se nga sulmet në objektet energjetike në të gjithë vendin kanë mbetur të plagosur 33 persona.
Në një intervistë për Fox News, Zelensky deklaroi se Ukraina kishte respektuar armëpushimin, ndërsa Rusia kishte vijuar sulmet.
“Ne nuk sulmuam, ndërsa Rusia goditi stacionet tona të gazit, infrastrukturën energjetike dhe objekte të tjera. Mendoj se kjo ishte përgjigjja e Putinit ndaj presidentit Trump”, u shpreh ai.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, deklaroi të hënën se Ukraina nuk e meriton periudhën e qetësisë që do të sillte një armëpushim.
Sulmet e raportuara vijnë në një moment kur përpjekjet diplomatike të Uashingtonit synojnë uljen e tensioneve mes Moskës dhe Kievit, ndërsa zbatimi i armëpushimit të paralajmëruar mbetet në pikëpyetje.


