Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas debatit të krijuar mbi gjendjen e Banjave Termale të Bënjës, duke i cilësuar pretendimet për betonizim dhe tharje të burimeve si dezinformim të përhapur në rrjetet sociale.
Përmes një postimi në Facebook, Rama deklaroi se po zhvillohet një fushatë manipulimi që, sipas tij, synon të krijojë alarm të rremë te qytetarët. Ai shtoi se projekti në Bënjë është një investim publik për rigjenerimin e zonës dhe përmirësimin e infrastrukturës turistike.
Kreu i qeverisë publikoi edhe pamje nga Banjat Termale, duke theksuar se në zonë nuk ka konflikte pronësie apo ndërhyrje që dëmtojnë natyrën, por një projekt që synon të rrisë aksesin dhe kushtet për vizitorët dhe turistët.

