Debate dhe kundërshti kanë shoqëruar takimin e zhvilluar në Korçë për hartimin e ndarjes së re territoriale. Banorë dhe përfaqësues lokalë kanë kërkuar që asnjë nga bashkitë e qarkut të mos shkrihet, duke argumentuar se një vendim i tillë do të dëmtonte shërbimet për qytetarët.
Pjesëmarrësit theksuan se bashkitë e Korçës, Maliqit, Pogradecit, Devollit, Kolonjës dhe Pustecit duhet të ruajnë statusin aktual. Sipas tyre, bashkimi i njësive vendore do të vështirësonte aksesin e banorëve në shërbimet publike dhe do të krijonte probleme për komunitetet.
Gjatë takimit u sollën edhe shembuj nga reforma territoriale e vitit 2014, ku banorë të Kolonjës e cilësuan të padrejtë bashkimin e Leskovikut me Ersekën, duke theksuar se kjo ndikoi negativisht në marrjen e shërbimeve.
Në mbledhje morën pjesë edhe përfaqësues politikë. Arbër Mazniku e cilësoi normal zhvillimin e protestave në një vend demokratik, ndërsa Luçiano Boçi deklaroi se nuk mund të diskutohet për një reformë të re administrative në një kohë kur, sipas tij, qytetarët po protestojnë në rrugë.

