Qytetarët janë mbledhur edhe këtë mbrëmje në sheshin “Skënderbej”, ku po zhvillohet protesta e 27-të radhazi në Tiranë. Me pankarta dhe flamuj në duar, protestuesit kanë kërkuar edhe një herë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Pas grumbullimit në qendër të kryeqytetit, pjesëmarrësit kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë, ku pritet të mbahen fjalime dhe të ritheksohen kërkesat e protestës.
Organizatorët kanë përsëritur kërkesat e tyre, ku përfshihen dorëheqja e qeverisë, krijimi i një qeverie teknike tranzitore 12-mujore, si dhe ndryshime në Kodin Zgjedhor, ligjin për financimin e partive politike dhe kufizimi i mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate.
Protesta po zhvillohet në mënyrë paqësore, ndërsa organizatorët kanë bërë të ditur se mobilizimi qytetar do të vijojë edhe në ditët në vijim.

