Disa protestues janë mbledhur pranë Pallatit të Kulturës në Vlorë, ku ndodhet kryeministri Edi Rama, ndërsa situata është shoqëruar me tensione.
Gjatë protestës, një prej protestuesve, Bakir Goxhaj, pjesë e shoqërisë civile dhe një prej personave të përfshirë në organizimin e protestës, është shoqëruar nga forcat e Policisë së Vlorës dhe është dërguar në Komisariat.
Shoqërimi i tij ka shkaktuar reagimin e bashkëshortes, e cila ka kundërshtuar veprimin e efektivëve dhe është përplasur verbalisht me ta.
Në momentin e shoqërimit, ajo u ka drejtuar efektivëve fjalët: “Ju jeni kriminelë”.
Nuk dihen ende arsyet zyrtare të shoqërimit të Goxhajt dhe nëse ndaj tij do të ketë ndonjë masë të mëtejshme.
Ngjarja ka ndodhur pak para nisjes së protestës, ndërsa pritet të zbardhen më shumë detaje mbi situatën dhe shoqërimin e protestuesit.


