Një operacion i Policisë së Vlorës ka goditur një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike në zonat turistike të qytetit, duke çuar në arrestimin e pesë personave, mes tyre dy shtetas italianë.
Operacioni i koduar “WEST”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë dhe me mbështetjen e strukturave operacionale, u finalizua pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për persona që transportonin drogë me qëllim shitjen në qytetin bregdetar.
Në pranga ranë shtetasit N. K., 20 vjeç, R. H., 20 vjeç dhe M. M., 23 vjeç, banues në Lezhë, si dhe shtetasit italianë C. L., 42 vjeç, banues në Romë, dhe C. S., 37 vjeç, banues në Palermo.
Gjatë kontrolleve të kryera në zonën e Zvërnecit, në automjetin që përdornin dhe në banesën ku qëndronin në lagjen “Uji i Ftohtë”, policia sekuestroi rreth 700 doza lëndësh narkotike, të llojeve “Tusi”, “Ketaminë”, “MDMA”, “Kokainë”, “Ekstazi” dhe “Kanabis”, të gatshme për shitje.
Gjithashtu, u sekuestruan një shumë parash, që dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal, si dhe tetë telefona celularë.
Sipas hetimeve paraprake, të arrestuarit dyshohet se shpërndanin lëndët narkotike në plazhe dhe lokale të Vlorës gjatë sezonit turistik.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.


