Protesta qytetare para Kryeministrisë vijoi edhe këtë mbrëmje me thirrje të drejtpërdrejta ndaj institucioneve të drejtësisë dhe kërkesa për hetime ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë.
Gjatë tubimit, protestuesi Elidon Lika mori fjalën para qytetarëve të mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke kërkuar nga organet e drejtësisë që të përshpejtojnë hetimet ndaj kryeministrit Edi Rama.
Në fjalën e tij, Lika iu referua zhvillimeve të raportuara në Holandë, duke theksuar se zyrtarë të lartë po përballen me procese llogaridhënieje, ndërsa sipas tij, në Shqipëri nuk po ndiqet i njëjti standard.
“Autoritetet shqiptare të nxitojnë me hetimin. Është thirrur ministri i Financave të Holandës, por akoma nuk është thirrur Rama”, deklaroi ai para protestuesve.
Në përfundim të fjalës së tij, Lika i bëri një thirrje publike Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke kërkuar hetimin e kryeministrit.
Deklarata e tij u prit me duartrokitje dhe brohoritje nga një pjesë e pjesëmarrësve në protestë, ndërsa tubimi vijoi me fjalime të tjera dhe mesazhe drejtuar institucioneve shtetërore.


