Pas zhurmës së krijuar në rrjet dhe raportimeve të para se gazetari Osman Stafa ishte shoqëruar nga policia gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë, rezulton se ngjarja ka qenë ndryshe nga sa u perceptua fillimisht.
Sipas informacioneve të siguruara më vonë, Stafa nuk është marrë nga efektivët e policisë, por është paraqitur vetë në Komisariatin Nr. 3 për të kallëzuar dy persona që, sipas tij, e kanë ofenduar dhe intimiduar gjatë protestës.
Burime pranë ngjarjes bëjnë me dije se incidenti ndodhi teksa protestuesit po marshonin në kryeqytet. Dy persona, burrë dhe grua, dyshohet se kanë debatuar me gazetarin dhe i janë drejtuar me fjalë fyese për shkak të punës së tij si gazetar.
Situata ka krijuar tension për disa momente, por ndërhyrja e qytetarëve të tjerë ka shmangur agravimin e konfliktit. Më pas në vendngjarje ka mbërritur policia, e cila ka shoqëruar çiftin e përfshirë në debat, ndërsa gazetari është drejtuar në komisariat për të bërë denoncimin.
Pamjet që qarkulluan më herët krijuan përshtypjen se Stafa po merrej nga policia, por sipas të dhënave të konfirmuara më pas, ai ndodhej në ambientet e komisariatit në cilësinë e kallëzuesit dhe jo të personit të shoqëruar.


