Një ngjarje e rëndë familjare ka tronditur qytetin e Torinos në Itali, ku një grua 40-vjeçare dhe vajza e saj 13-vjeçare janë gjetur të vdekura brenda apartamentit ku jetonin.
Sipas mediave italiane dhe hetimeve paraprake të autoriteteve, dyshohet se bëhet fjalë për një rast vrasje-vetëvrasjeje. Hetuesit dyshojnë se nëna fillimisht i ka marrë jetën vajzës së mitur dhe më pas ka kryer vetëvrasje.
Trupat e pajetë janë zbuluar nga vajza tjetër e familjes, 19 vjeçe, e cila ka parë skenën tragjike sapo është kthyer në banesë. E reja ka pësuar gjendje të rënduar emocionale dhe është transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë ekipet e emergjencës dhe forcat e policisë. Mjekët kanë tentuar të rikthejnë në jetë 13-vjeçaren, por pa rezultat.
Mësohet se gruaja jetonte e ndarë nga bashkëshorti prej disa kohësh dhe banonte vetëm me dy vajzat e saj. Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e kësaj tragjedie që ka tronditur komunitetin lokal.


