Policia e Durrësit ka goditur dy raste të kontrabandës së cigareve në Portin e Durrësit, duke sekuestruar gjithsej 798 steka cigare pa pullë fiskale. Operacioni ka çuar në arrestimin e një 34-vjeçari dhe procedimin penal të një tjetër personi, i cili punonte si përgjegjës i hotelerisë në një traget.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit të një automjeti në vijën e dytë të portit, shërbimet e policisë gjetën 548 steka cigare të padeklaruara dhe pa dokumentacion shoqërues. Automjeti drejtohej nga shtetasi E. B., 34 vjeç, banues në Durrës.
Në vijim të hetimeve, policia ushtroi kontroll edhe në banesën e tij, ku u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri automatike tip AK-47.
Kontrollet vijuan edhe në një traget, ku në ambientet e hotelerisë u zbuluan të fshehura 250 steka të tjera cigare, të dyshuara për t’u futur kontrabandë në territorin shqiptar. Për këtë rast u procedua penalisht shtetasi E. S., 34 vjeç, me detyrë përgjegjës i hotelerisë së tragetit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 798 steka cigare, arma e zjarrit, një automjet dhe dy telefona celularë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme
Video Policia e Shtetit


