Protestat e studentëve kanë vijuar edhe këtë të premte në disa qytete të Francës, ndërsa situata është përshkallëzuar në disa zona me përplasje, zjarrvënie dhe ndërhyrje të policisë.
Mbi 500 shkolla janë prekur nga protestat, ndërsa autoritetet franceze raportojnë se gjatë trazirave janë plagosur 65 punonjës të institucioneve dhe 305 efektivë policie. Gati 2 mijë persona janë arrestuar.
Në Paris, një zjarr është regjistruar pranë shkollës profesionale publike Beaugrenelle, në një zonë që ndodhet më pak se 1.5 kilometra nga Kulla Eiffel. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë një re të madhe tymi që ngrihet pranë godinës, ndërsa në afërsi shihen persona dhe fishekzjarre.

Protesta janë shoqëruar edhe me episode dhune në qytete të tjera. Në Belfort, në verilindje të Francës, një efektiv policie civil është sulmuar dhe ka humbur ndjenjat. Ministri i Brendshëm Laurent Nuñez bëri të ditur se për rastin është nisur një hetim për tentativë vrasjeje. Një 17-vjeçar është arrestuar në lidhje me ngjarjen, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar rolin e tij.
Një tjetër incident i rëndë është raportuar në Sélestat, në Alsace, ku një nxënës është plagosur rëndë gjatë protestave. Sipas drejtuesit rajonal të partisë Horizons, Franck Leroy, i riu është dëmtuar pasi ka marrë në dorë një pajisje piroteknike që dyshohet se ishte vendosur në një kosh. Gjendja e tij është raportuar e rëndë, por pa rrezik për jetën.
Ndërkohë, qeveria franceze ka njoftuar një proces konsultimi me nxënësit dhe studentët, i cili pritet të nisë të hënën. Ata do të pyeten për vështirësitë me të cilat përballen dhe pritshmëritë e tyre për sistemin arsimor.
Protestat kanë marrë edhe dimension politik, ndërsa partitë dhe sindikatat kanë shprehur qëndrime të ndryshme. Sindikata CGT ka njoftuar se do t’u bashkohet protestave të studentëve më 6 tetor, duke kërkuar që shqetësimet e tyre të dëgjohen.

Presidenti Emmanuel Macron ka deklaruar se e kupton ankthin dhe zemërimin e studentëve, por ka theksuar se shqetësimet nuk justifikojnë dhunën. Nga ana tjetër, përfaqësues të së majtës kanë mbështetur të drejtën e të rinjve për të protestuar, ndërsa qeveria ka akuzuar disa aktorë politikë se po i instrumentalizojnë protestat.
Në terren, një pjesë e studentëve distancohen nga aktet e dhunës dhe dëmtimet, duke theksuar se kërkesat e tyre lidhen me përmirësimin e kushteve dhe cilësisë së arsimit.
Protestat pritet të vijojnë edhe në ditët e ardhshme, ndërsa autoritetet franceze përballen me sfidën për të adresuar kërkesat e studentëve dhe njëkohësisht për të frenuar përshkallëzimin e dhunës.


