Komuniteti Hebraik në Shqipëri ka reaguar pas incidentit të ndodhur gjatë protestës së mbrëmjes së kaluar, ku disa protestues hoqën flamurin e Izraelit nga godina e Ambasadës së Izraelit në Tiranë.
Në një deklaratë zyrtare, Komuniteti Hebraik e cilësoi ngjarjen si një akt të papranueshëm dhe një shkelje të normave ndërkombëtare, duke theksuar se forma të tilla proteste nuk mund të justifikohen. Sipas reagimit, incidenti përbën një “sinjal alarmi” dhe rrezikon të nxisë urrejtje dhe antisemitizëm.
Komuniteti shprehu shqetësim edhe për disa prej thirrjeve të dëgjuara gjatë tubimit, mes tyre deklarata si “Izraeli është armiku ynë”. Në reagim thuhet se gjuha e përdorur është shqetësuese dhe se përpjekjet për të importuar konflikte dhe narrativa ekstremiste në Shqipëri bien ndesh me traditën e tolerancës dhe bashkëjetesës që karakterizon shoqërinë shqiptare.
Përfaqësuesit e Komunitetit Hebraik u bënë thirrje institucioneve dhe qytetarëve të distancohen nga çdo akt që mund të cenojë klimën e respektit dhe dialogut.
Në përfundim të deklaratës, Komuniteti Hebraik theksoi rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve miqësore dhe frymës së mirëkuptimit që ka karakterizuar historikisht raportet mes Shqipërisë dhe popullit hebre.


