Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Sheqeras të bashkisë Maliq, ku një grua 55-vjeçare është gjetur e pajetë brenda banesës së saj.
Sipas informacioneve paraprake, viktima, e identifikuar si Lavdie Daci, dyshohet se kishte ndërruar jetë prej disa ditësh. Trupi i pajetë është gjetur nga vajza e saj, e cila ka njoftuar menjëherë policinë.
Burime lokale bëjnë me dije se 55-vjeçarja jetonte me djalin e saj, i cili rreth një javë më parë ishte larguar drejt Greqisë për punë sezonale. Ndërkohë, fëmijët e tjerë të saj jetojnë në Tiranë dhe në Greqi.
Pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet policore dhe grupi hetimor, të cilët po kryejnë veprimet procedurale për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.
Deri në këto momente nuk ka një njoftim zyrtar lidhur me shkaqet e vdekjes, ndërsa pritet ekspertiza mjeko-ligjore që do të ndihmojë në përcaktimin e tyre.


