Një përplasje e re ka nisur rreth rregullores së sigurisë së Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila ka shkaktuar reagime nga gazetarët dhe avokatët.
Rregullorja, e hartuar për forcimin e masave të sigurisë në ambientet e gjykatës, parashikon një sërë kufizimesh për hyrjen dhe qëndrimin në sallat e gjykimit, duke përfshirë edhe përfaqësuesit e medias dhe avokatët.
Sipas rregullores, në raste të vlerësimit të riskut, gjykata mund të regjistrojë vetë seancën dhe më pas ta shpërndajë materialin. Gjithashtu, gazetarët parashikohet të hyjnë në sallat e gjykimit përmes një autorizimi dhe pas plotësimit të formularëve përkatës.
Në rastet kur numri i të interesuarve është i madh, parashikohet edhe përdorimi i sistemit të rotacionit, ndërsa hyrja mund të kufizohet në çështje që konsiderohen sensitive ose me nivel të lartë rreziku.
Këto masa kanë shkaktuar shqetësim te gazetarët, të cilët argumentojnë se kufizimet mund të cenojnë parimin e gjykimeve publike dhe të drejtën e publikut për të ndjekur proceset gjyqësore.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka kundërshtuar konceptimin e medias si një faktor rreziku për rendin dhe sigurinë në gjykatë. Sipas Unionit, edhe sistemi i akreditimit mund të krijojë pengesa për reporterët që ushtrojnë profesionin.

Ndërkohë, shqetësime janë ngritur edhe nga avokatët. Kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maksim Haxhia, ka deklaruar se pas njohjes zyrtare me rregulloren do të merren vendime për veprimet që do të ndërmerren.
“Unë jam për bojkot”, është shprehur Haxhia, duke paralajmëruar mundësinë e një reagimi të fortë nga avokatët.
Rregullorja e re vjen në një kohë kur GJKKO dhe SPAK po trajtojnë një numër të madh çështjesh me interes të lartë publik, përfshirë dosje që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Debati tashmë është përqendruar te balanca mes nevojës për siguri në ambientet e gjykatës dhe garantimit të transparencës, aksesit të medias dhe të drejtës së publikut për të ndjekur proceset gjyqësore.


