Kina ka njoftuar një paketë masash kundër Shteteve të Bashkuara dhe kompanive amerikane, në atë që Pekini e cilëson si kundërpërgjigje ndaj masave të fundit të ndërmarra nga Uashingtoni ndaj kompanive kineze.
Ministria e Tregtisë e Kinës njoftoi sanksione ndaj disa kompanive amerikane, përfshirë kompani të sektorit të bioteknologjisë dhe analizës së burimeve, ndërsa paralajmëroi edhe forcimin e kontrolleve të eksportit për dronët, komponentët dhe teknologjitë e lidhura me ta drejt SHBA-së.
Gjashtë kompani amerikane janë përfshirë në listën e kundërmasave të Kinës, në përgjigje të vendimit të SHBA-së për të ndaluar importet nga 43 kompani kineze, të cilat Uashingtoni i akuzon për shkelje të të drejtave të njeriut ndaj ujgurëve dhe pakicave të tjera.
Një tjetër kompani amerikane është përfshirë në listë në lidhje me vendimin e Komisionit Federal të Komunikimeve të SHBA-së për ndalimin e importeve të robotëve të rinj humanoidë dhe katërkëmbësh, si dhe konvertuesve të energjisë.
Masat e Pekinit parashikojnë gjithashtu një hetim për sigurinë kombëtare lidhur me pajisjet e zyrave të importuara që përdorin softuer të sistemeve të huaja, si dhe pezullimin e disa bashkëpunimeve me SHBA-në në fushën e inspektimeve të fabrikave.
Një zëdhënës i Ministrisë së Tregtisë së Kinës deklaroi se Pekini “nuk kishte zgjidhje tjetër” përveçse të merrte kundërmasa ndaj veprimeve të fundit të SHBA-së.
Kina i ka kërkuar Uashingtonit të tërheqë masat e ndërmarra dhe të ndalojë veprimet që, sipas Pekinit, dëmtojnë marrëdhëniet mes dy vendeve. Autoritetet kineze kanë paralajmëruar se do të ndërmarrin masa të tjera nëse SHBA vijon me kufizime të reja.
Përplasja e re mes dy vendeve vjen vetëm disa javë përpara samitit të pritshëm mes presidentit amerikan Donald Trump dhe liderit kinez Xi Jinping në SHBA.

Tensionet mes dy ekonomive më të mëdha në botë janë përshkallëzuar veçanërisht në sektorin e teknologjisë, tregtisë dhe sigurisë, ndërsa zyrtarët e të dyja vendeve kanë zhvilluar kontakte diplomatike dhe ekonomike në përpjekje për të ruajtur stabilitetin e marrëdhënieve.


