Frank Bourassa, një ish-pronar fabrike në Quebec të Kanadasë, u kthye në një nga falsifikatorët më të mëdhenj të kartëmonedhave amerikane, pasi prodhoi rreth 250 milionë dollarë të falsifikuara në një shtypshkronjë të fshehtë të ngritur në një fermë.
Bourassa prodhoi rreth 12.5 milionë kartëmonedha 20-dollarëshe, të cilat i shiste për vetëm 30% të vlerës së tyre. Nëse do të arrinte të shiste të gjithë sasinë, ai priste të përfitonte rreth 75 milionë dollarë realë.
Operacioni kushtoi rreth 325 mijë dollarë kanadezë dhe përfshinte pajisje profesionale printimi. Në vitin 2010, ai nisi shitjen e kartëmonedhave të falsifikuara përmes një bashkëpunëtori që kontaktonte grupe kriminale.
Më 23 maj 2012, gjithçka mori fund. Rreth 12 efektivë të Policisë Mbretërore Kanadeze mbërritën në shtëpinë e të dashurës së tij, ku Bourassa u arrestua. Autoritetet gjetën pllaka printimi dhe rreth 1 milion dollarë në kartëmonedha false.

Por historia nuk përfundoi me arrestimin. Pak para nisjes së gjyqit, Bourassa i tregoi avokatit se kishte edhe 200 milionë dollarë të tjera të falsifikuara. Ai negocioi me autoritetet dhe pranoi t’u tregonte vendndodhjen e tyre në këmbim të lirimit.
Në fund, Bourassa i çoi autoritetet te paratë dhe doli i lirë pasi kishte kryer vetëm gjashtë javë burg. Sot ai merret me biznes të ligjshëm përmes një kompanie konsulence që ndihmon klientët të mbrohen nga falsifikimi i produkteve.

Për shkak të përmasave të jashtëzakonshme të operacionit, Bourassa është cilësuar si “falsifikatori më i madh në botë” dhe mban dhe rekordin Guinness për “Operacioni më i madh i falsifikimit (individual)” Sot ai merret me aktivitete të ligjshme dhe punon në fushën e sigurisë dhe parandalimit të falsifikimeve.


