Një konflikt mes dy shitësve të biletave për anijet turistike ka përfunduar me plagosjen e njërit prej tyre në zonën e Skelës në Vlorë.
Sipas informacioneve paraprake, gjatë konfliktit, Edmond Gorishova dyshohet se ka goditur me thikë shitësin tjetër, Dhimo Thominin, duke e plagosur lehtë.
I dëmtuari është transportuar menjëherë në Spitalin e Vlorës për të marrë ndihmë mjekësore. Sipas bluzave të bardha, plaga ka rezultuar sipërfaqësore dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Dy personat ushtronin aktivitetin e shitjes së biletave për turet turistike me anije në gjirin e Vlorës. Dyshohet se konflikti ka nisur për shkak të konkurrencës për klientët dhe aktivitetit të shitjes së biletave.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive.


