Një valë e fuqishme të nxehti ka përfshirë Europën Perëndimore, ndërsa Franca ka regjistruar ditën më të nxehtë në historinë e saj, me temperatura që kanë arritur deri në 44.3 gradë Celsius në disa zona të vendit.
Autoritetet franceze kanë vendosur masa emergjente, ndërsa monumente të njohura si Kulla Eiffel dhe Muzeu i Luvrit kanë kufizuar oraret e vizitave për shkak të temperaturave ekstreme. Në veri të Francës, mijëra banesa mbetën pa energji elektrike si pasojë e ngarkesës së lartë në rrjet.
Alarmet e kuqe për vapën janë aktivizuar edhe në Britani, Gjermani, Austri dhe Zvicër, ku temperaturat e larta kanë shkaktuar mbyllje shkollash, vonesa në transport dhe shqetësime në rritje për ndikimin e ndryshimeve klimatike.

Sipas autoriteteve franceze, dhjetëra persona kanë humbur jetën në incidente të lidhura me temperaturat e larta, ndërsa shërbimet shëndetësore vijojnë apelimet për kujdes maksimal, konsum të lartë uji dhe shmangie të ekspozimit në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës.
Meteorologët paralajmërojnë se temperaturat mund të vazhdojnë të thyejnë rekorde edhe në ditët në vijim, duke e bërë këtë një nga episodet më të rënda të vapës që ka goditur Europën në dekadat e fundit.


