Protesta qytetare në Tiranë ka vijuar edhe në ditën e saj të 26-të, me qytetarë dhe aktivistë që u grumbulluan në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë.
Pjesëmarrësit mbanin pankarta dhe flamuj, ndërsa gjatë marshimit u dëgjuan sërish thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë aktuale.
Gjatë tubimit para Kryeministrisë, Sidorela Vatnikaj lexoi publikisht kërkesat e protestuesve, duke ritheksuar nevojën për krijimin e një qeverie teknike tranzitore jopartiake që, sipas tyre, do të garantonte zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Mes kërkesave të paraqitura ishin gjithashtu ndryshime kushtetuese përmes referendumit popullor, ndryshimi i Kodit Zgjedhor, kufizimi i mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, si dhe shfuqizimi i disa paketave ligjore që lidhen me investimet strategjike, zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore.
Protestuesit deklaruan se do të vijojnë aksionin e tyre qytetar edhe në ditët në vijim, duke këmbëngulur se kërkesat e tyre duhet të marrin përgjigje nga institucionet shtetërore.


