Vijojnë kërkimet për gjetjen e minatorit 40-vjeçar Ilir Kalaveri, i cili dyshohet se ka humbur jetën në një nga galeritë e minierës në zonën e Tërnovës së Madhe, në Njësinë Administrative Zerqan, Bashkia Bulqizë.
Sipas informacioneve paraprake, minatori ka mbetur i bllokuar në galeri pas një shembjeje masive të materialit minerar. Ekipet e shpëtimit, së bashku me specialistët e minierës dhe strukturat përgjegjëse, kanë punuar gjatë gjithë natës dhe vijojnë operacionin edhe mëngjesin e sotëm.
Kërkimet po zhvillohen në kushte të vështira, pasi sasia e madhe e materialit të rrëzuar dhe rreziku i shembjeve të tjera e kanë vështirësuar ndjeshëm ndërhyrjen. Ekipet po avancojnë me kujdes për të garantuar sigurinë e tyre dhe për të arritur në vendin ku dyshohet se ndodhet minatori.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje rrezikun me të cilin përballen minatorët në galeritë e Bulqizës. Një tjetër rast tragjik ishte ai i vitit 2021, kur minatori Muhartem Plaku mbeti i bllokuar për pesë ditë pas një shembjeje në një galeri të Zonës së Parë. Pas një operacioni të gjatë kërkim-shpëtimi, ekipet arritën të nxirrnin trupin e tij të pajetë.
Autoritetet kanë bërë të ditur se operacioni në Tërnovë do të vijojë pa ndërprerje deri në përfundimin e kërkimeve. Informacionet e reja pritet të bëhen publike në varësi të zhvillimeve në terren.


