Një aksident është regjistruar rreth mesnatës në aksin e Transballkanikes, pranë ish-Hipotekës në Vlorë, ku një 20-vjeçare është përplasur nga një automjet tip “Porsche”.
Sipas të dhënave paraprake, automjeti drejtohej nga shtetasi K.B, ndërsa e reja, A.M ishte duke kaluar rrugën në vijat e bardha në momentin e përplasjes.
Pas aksidentit, drejtuesi i automjetit nuk është ndalur, por është larguar nga vendi i ngjarjes. E reja është transportuar në spital, ku ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Në vendngjarje kanë mbërritur edhe shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur verifikimin e rrethanave të aksidentit.

Disa kalimtarë që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes kanë pretenduar se automjeti ka hyrë në kryqëzim duke kaluar me semafor të kuq. Ky version mbetet paraprak dhe pritet të verifikohet nga autoritetet përmes pamjeve të kamerave të sigurisë dhe veprimeve të tjera hetimore.
Policia vijon punën për zbardhjen e plotë të dinamikës së aksidentit dhe për dokumentimin e përgjegjësive.


