Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se ka anuluar sulmet e planifikuara ndaj Iranit, duke vendosur si kusht që një marrëveshje me Teheranin të arrihet “shpejt”.
Në një postim në rrjetin e tij social, Trump tha se Irani dhe disa vende të tjera të Lindjes së Mesme i kanë kërkuar Shteteve të Bashkuara të “ndalojnë” çdo sulm të ri, ndërsa sipas tij janë përcaktuar tashmë disa nga “perimetrat” e një marrëveshjeje të mundshme.
Deklarata e presidentit amerikan vjen pas raportimeve se SHBA-ja dhe Izraeli po përgatiteshin për një fushatë të re dhe më intensive sulmesh ndaj Iranit, përfshirë objektiva të infrastrukturës energjetike.
Megjithatë, deri tani Teherani nuk ka konfirmuar se ka kërkuar zhvillimin e negociatave të reja apo se është arritur ndonjë dakordësi mbi një marrëveshje për përfundimin e konfliktit.
Situata mbetet e tensionuar. Ministri në detyrë i Mbrojtjes së Iranit, Majid Ibn al-Reza, deklaroi se Teherani i konsideron kërcënimet e kundërshtarëve si “reale dhe të besueshme”, duke paralajmëruar se Irani nuk do të kapet në befasi dhe nuk do të qëndrojë pasiv.

Trump, ndërkohë, ka përsëritur paralajmërimet e tij të ashpra ndaj Iranit. Sipas raportimeve nga mediat amerikane, gjatë një takimi të kabinetit të premten ai është shprehur se SHBA-ja do ta godiste Iranin “shumë fort” nëse Teherani nuk do të pranonte të tërhiqej.
Presioni diplomatik është rritur edhe nga vendet e Gjirit, të cilat druhen se një përshkallëzim i ri mund të godasë infrastrukturën kritike dhe të shkaktojë pasoja të mëdha në rajon.
Konflikti ka ndikuar gjithashtu në tregjet ndërkombëtare të energjisë, ndërsa çdo sulm i ri pritet të shtojë presionin mbi çmimet e naftës. Për SHBA-në, situata ka edhe kosto politike, pasi sondazhet tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e amerikanëve kundërshtojnë vazhdimin e luftës.
Me zgjedhjet e mesmandatit që afrohen, çdo vendim i Trump për Iranin mund të ketë pasoja jo vetëm në politikën e jashtme, por edhe në skenën e brendshme amerikane.


