Pasditja e së martës është shënuar nga dy aksidente rrugore të ndodhura brenda një harku të shkurtër kohor në Pogradec, me bilanc një viktimë dhe disa persona të plagosur.
Ngjarja më e rëndë u regjistrua në zonën e Qafë Pllocës, në aksin e ri rrugor, ku një furgon doli nga kontrolli dhe u përplas me barrierat mbrojtëse në të dy anët e rrugës. Si pasojë e goditjes së fortë, drejtuesi i mjetit, Amarildo Islamaj, 32 vjeç nga Vlora, u transportua me urgjencë në Spitalin e Pogradecit, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve.

Sipas Policisë, goditja ishte me intensitet të lartë, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit.
Pak më vonë, një tjetër aksident ndodhi në aksin Pogradec–Lin, pranë fshatit Pojskë. Nga përplasja mbetën të plagosur të paktën tre persona, ndërsa njëri prej tyre u bllokua brenda automjetit, duke bërë të domosdoshme ndërhyrjen e shërbimeve të emergjencës për nxjerrjen e tij.

Paraprakisht dyshohet se reshjet e shiut dhe lagështia në rrugë mund të kenë ndikuar në humbjen e kontrollit të mjeteve, ndërsa hetimet për të dyja ngjarjet vijojnë.


