Një nga atraksionet më të njohura turistike dhe kurative të jugut të Shqipërisë, Llixhat e Bënjës në Përmet, po përballet me një situatë shqetësuese pas tharjes së konsiderueshme të burimeve ujore që furnizonin vaskat termale.
Pamje të publikuara së fundmi tregojnë se pjesa më e madhe e vaskave natyrore kanë mbetur pothuajse pa ujë, ndërsa zona që dikur frekuentohej nga turistë vendas dhe të huaj është kthyer në pellgje të vogla me ujë të ndenjur.
Gazetari Elton Qyno ka reaguar publikisht për situatën, duke e cilësuar atë një katastrofë mjedisore dhe duke kërkuar nisjen e hetimeve nga organet kompetente për të verifikuar nëse punimet e kryera në zonë kanë ndikuar në dëmtimin e damarëve natyrorë të ujit.
Sipas pretendimeve të ngritura, projekti i rehabilitimit të zonës, me vlerë rreth 2 milionë euro, mund të ketë shkaktuar pasoja të pakthyeshme në burimet termale që prej dekadash kanë qenë një nga pasuritë natyrore më të rëndësishme të Përmetit.
Ndërkohë, deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga institucionet përgjegjëse lidhur me shkaqet e tharjes së burimeve. Banorët dhe vizitorët kërkojnë sqarime dhe masa urgjente për rikthimin e një prej perlave natyrore të turizmit shqiptar.


