Maroku është bërë skuadra e parë që siguron një vend në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026, pasi mposhti me rezultatin 3-0 bashkëorganizatoren Kanada në fazën e 1/8-ave.
Pjesa e parë u karakterizua nga dominimi i Kanadasë, e cila krijoi rastet më të mira për shënim. Tani Oluwaseyi dhe Alistair Johnston iu afruan golit, por portieri Yassine Bounou dhe mbrojtja marokene arritën të ruanin portën të paprekur.
Pas pushimit, Maroku u rikthye krejtësisht ndryshe në fushë. Në minutën e 50-të, Azzedine Ounahi zhbllokoi sfidën pas një skeme të zgjuar nga goditja e dënimit, duke finalizuar saktë për 1-0.
Kanadaja tentoi të reagojë në minutat e mbetura, por nuk arriti të konkretizojë rastet e krijuara. Në fund të takimit, marokenët goditën edhe dy herë të tjera. Brahim Diaz shërbeu për Ounahin, i cili realizoi golin e dytë personal me një goditje të fuqishme, ndërsa Soufiane Rahimi vulosi fitoren 3-0 në sekondat e fundit të sfidës.
Me këtë sukses, Maroku zgjat në 10 ndeshje serinë pa humbje dhe konfirmon formën e shkëlqyer, duke u kualifikuar mes tetë skuadrave më të mira të Botërorit. Nga ana tjetër, Kanadaja i jep fund aventurës historike në këtë turne, pasi për herë të parë kishte arritur të kalonte fazën e grupeve të Kupës së Botës.


