Situata është tensionuar në orët e para të mesnatës pranë Komisariatit nr. 3 në Tiranë, ku po mbahen disa prej protestuesve të arrestuar gjatë incidenteve të mëparshme.
Një grup protestuesish marshoi drejt godinës së komisariatit, duke brohoritur “Lironi çunat” dhe duke kërkuar lirimin e të arrestuarve. Gjatë tubimit, tensionet u përshkallëzuan, ndërsa disa persona thyen xhamat e godinës dhe hodhën thirrje kundër Policisë së Shtetit.
Si pasojë e incidenteve, një efektive policie ka mbetur e lënduar gjatë shërbimit.
Për të vënë situatën nën kontroll dhe për të larguar turmën nga ambientet e komisariatit, forcat e policisë ndërhynë duke përdorur ujë. Pas ndërhyrjes, protestuesit u shpërndanë nga zona.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të plota mbi gjendjen shëndetësore të efektives së lënduar apo nëse ka persona të tjerë të dëmtuar gjatë përplasjes.


