Një aksident tragjik ka ndodhur mëngjesin e sotëm në aksin Fushë-Krujë–Rinas, pranë Urës së Gjolës, ku një 26-vjeçar ka humbur jetën.
Viktima është identifikuar si gazetari Xhesjon Zogu, i cili po udhëtonte me një automjet tip “Land Rover”. Si pasojë e përplasjes me një automjet “Benz”, i riu ka pësuar dëmtime të rënda dhe, pavarësisht ndihmës së dhënë, ka ndërruar jetë gjatë transportimit drejt Spitalit të Traumës.
Nga aksidenti ka mbetur i plagosur edhe drejtuesi i “Benzit”, Behar Ruçi, me origjinë nga Korça. Ai është transportuar në spital dhe raportohet se ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se përplasja ka ndodhur si pasojë e një parakalimi të gabuar, duke shkaktuar përplasjen frontale të dy automjeteve.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, ndërsa grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë të aksidentit dhe përcaktimin e shkaqeve dhe rrethanave të tij.


