Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm fshatin Ndërfushaz të Mirditës, ku një 65-vjeçar është gjetur i pajetë brenda automjetit të tij, pasi është qëlluar me armë zjarri.
Viktima është identifikuar si Viktor Bardhi. Sipas njoftimit të Policisë, rreth orës 09:00, në fshatin Ndërfushaz, ai është gjetur pa shenja jete në automjetin e tij.
Njoftimi i parë i Policisë:
“Rreth orës 09:00, në fshatin Ndërfushas, është gjetur i pajetë në automjetin e tij, shtetasi V. B., rreth 65 vjeç, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri.
Grupi hetimor në zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes.”
Pak pas ngjarjes, në fshatin Munaz të Mirditës është gjetur një automjet i djegur.
Automjeti dyshohet se mund të jetë përdorur nga autorët e atentatit, por kjo rrethanë është ende nën verifikim nga grupi hetimor. Policia po punon për të përcaktuar nëse makina e djegur ka lidhje me ekzekutimin e Viktor Bardhit.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Policisë dhe grupi hetimor, ndërsa automjeti ku u gjet viktima paraqet shenja të qarta të të shtënave me armë zjarri.
Kush ishte Viktor Bardhi?
Viktor Bardhi ishte vëllai i Martin Bardhit, i cili u vra në shtator të vitit 2023 në Rrëshen.
Martin Bardhi u qëllua me armë zjarri në lokalin e tij, ndërsa nga atentati mbetën të plagosur edhe tre persona të tjerë që ndodheshin me të.
Emri i familjes Bardhi është përmendur ndër vite në kronikat e zeza të Mirditës dhe në lidhje me një konflikt të hershëm me familjen Reçi. Megjithatë, për ngjarjen e sotme, policia deri tani ka konfirmuar vetëm faktin se Viktor Bardhi është gjetur i pajetë dhe se dyshohet të jetë vrarë me armë zjarri.
Në janar të vitit 2025, një tjetër pjesëtar i familjes së Viktor Bardhit, Kristian Bardhi, i njohur edhe si Kristian Marku, u ekzekutua në aksin Fier–Vlorë.
26-vjeçari u qëllua me breshëri kallashnikovi më 13 janar 2025, ndërsa autorët e atentatit ende nuk janë bërë të ditur publikisht.
Kristian Bardhi ishte përmendur më herët nga Policia në lidhje me një tentativë për vrasjen e Saimir Reçit, ngjarje e ndodhur në mars të vitit 2023. Ai ishte i dyshuar për përfshirje, por nuk u provua fajësia e tij dhe fitoi lirinë.
Konflikti i vjetër në Mirditë
Një prej ngjarjeve që është lidhur ndër vite me përplasjet mes familjeve Bardhi dhe Reçi ishte ekzekutimi i Kastriot Reçit, i cili u vra me snajper në qendër të Rrëshenit në janar të vitit 2020.
Më pas, në mars 2023, u regjistrua një tentativë për vrasjen e Saimir Reçit. Në këtë ngjarje u përmendën edhe emra nga familja Bardhi.
Në shtator të po atij viti u ekzekutua Martin Bardhi, ndërsa në janar 2025 u vra Kristian Bardhi.
Sot, një tjetër pjesëtar i familjes Bardhi, Viktor Bardhi, është gjetur i pajetë në automjetin e tij në Ndërfushaz.
Hetimet vijojnë për të zbardhur autorët, motivin dhe dinamikën e plotë të atentatit. Gjithashtu, po verifikohet nëse automjeti i djegur i gjetur në Munaz ka lidhje me ngjarjen.
Ndërkohë, Drejtori i Policisë së Mirditës, Ermal Muça, ka folur për atentatin e ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Ndërfushaz të Mirditës.

Muça tha se njoftimi i parë për ngjarjen në sallën operative erdhi në orën 08:55 dhe se 20 minuta më pas u gjet makina e djegur në fshatin Rrejë.
Sakaq, kreu i policisë tha se për rastin ka një të shoqëruar si dhe një pistë hetimi, ndërsa shtoi se në makinën e djegur nuk u gjetën armë.
“Rreth orës 8:55 jemi njoftuar në sallën operative jemi njoftuar për një ngjarje të rëndë të ndodhur në Ndërfushaz. Dhe kemi ndërtuar grupin hetimor, kemi ardhur në vendngjarje dhe nga veprimet e para hetimore ka rezultuar që një shtetas është vrarë në automjetin e tij. Është shtetasi Viktor Marku, datëlindja 1961 dhe ndërkohë jeni edhe vetë prezentë, po bëhen dhe të gjitha veprimet hetimore. Rreth 20 minuta pas ngjarjes në fshatin Rrejë, është djegur një automjet, ku është ngritur një grup hetimor i dytë dhe po sqaron rrethanat e rastit. Po fiksohen të gjitha provat, po pyetën të gjithë dëshmitarët dhe do kemi një njoftim të dytë sapo të kemi diçka të re në lidhje më ngjarjen. Kemi një të shoqëruar dhe pistë hetimi kemi, por nuk mund ta ndajmë në këtë moment me mediat. Në makinën e djegur nuk janë gjetur armë”, u shpreh Muça.


