Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është paraqitur mëngjesin e kësaj të mërkure në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), e shoqëruar nga avokati i saj, Ardian Kalia, ku është njohur zyrtarisht me vendimin për përfundimin e hetimeve ndaj saj.
Sipas informacioneve të siguruara çështja përfshin një numër të lartë personash të marrë si të pandehur, ndërsa Balluku nuk ka pranuar të japë shpjegime para prokurorëve.
Më 20 tetor, ish-zëvendëskryeministres iu komunikuan akuzat dhe vendimi për zgjatjen e afatit hetimor.
Akuzat e ngritura nga SPAK ndaj Belinda Ballukut përfshijnë:
- Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, në bashkëpunim, në nëntë raste.
- Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike.
- Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë.
- Refuzim për deklarimin, mosdeklarim, fshehje ose deklarim të rremë të pasurive dhe interesave privatë, në dy raste.
- Pastrim të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale, në rrethana cilësuese, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, lidhur me dy pasuri të paluajtshme.
Me komunikimin e vendimit të sotëm, Prokuroria e Posaçme ka përfunduar fazën hetimore të çështjes. Mbyllja e hetimeve nuk përbën vendim gjyqësor për fajësinë e të pandehurve.


