Erjon Vishkulli, 28-vjeçari që mbeti i plagosur në sy gjatë protestës së 24 tetorit, ka kaluar me sukses ndërhyrjen kirurgjikale në klinikën “Gemelli” në Romë. Mjekët italianë kanë arritur t’i shpëtojnë organin e syrit, ndërsa procesi i rikuperimit do të vijojë.
Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, e cila ka falënderuar profesor Stanislao Rizzo për ndërhyrjen e suksesshme dhe përkushtimin e treguar ndaj të riut.
Ministrja njoftoi gjithashtu se qeveria shqiptare ka miratuar mbështetje financiare për 28-vjeçarin gjatë procesit të rikuperimit.
“Suksesi i ndërhyrjes është një lajm i mirë, ndërsa rrugëtimi drejt rikthimit të dritës së syrit do të vijojë me durim e besim”, u shpreh Spahiu.
Erjon Vishkulli mbeti i plagosur në sy gjatë protestës së 24 tetorit, pasi u godit nga një plumb gome. Fillimisht ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në Shqipëri, ndërsa më pas u transportua drejt Italisë për trajtim më të specializuar dhe një operacion të dytë për heqjen e plumbit të gomës.
Ndërhyrja në Romë ka rezultuar e suksesshme për ruajtjen e organit të syrit, ndërsa rikuperimi i shikimit mbetet pjesë e procesit të mëtejshëm mjekësor.


