Dy persona të shpallur në kërkim për vrasjen e 66-vjeçarit Rexhep Ismaili, ngjarje e ndodhur më 7 maj 2026 në fshatin Gjashtë të Sarandës, janë arrestuar në Greqi, në kuadër të operacionit policor të koduar “The Wanted”.
Falë bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve greke, janë arrestuar provizorisht, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, Lulëzim Tabaku, 37 vjeç, i dyshuar si autor i vrasjes, dhe Idriz Çelo, 40 vjeç, i dyshuar për përfshirje në konfliktin që i parapriu krimit.
Sipas Policisë, Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për 37-vjeçarin, i cili akuzohet për “Vrasje me dashje”, “Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Kanosje”, kryer në bashkëpunim.
Ndërkohë, 40-vjeçari kërkohej për veprat penale “Moskallëzimi i krimit”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”. Ai është ndaluar në ishullin e Korfuzit, ku dyshohet se qëndronte duke përdorur identitet të rremë.
Si ndodhi ngjarja?
Sipas hetimeve paraprake, më 7 maj, Rexhep Ismaili u qëllua për vdekje me pistoletë në ambientet e lokalit të tij në fshatin Gjashtë. Krimi dyshohet se ndodhi pas një konflikti me sende të forta mes disa personave, ku ishte përfshirë edhe 40-vjeçari i arrestuar.
Policia njofton se vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim në lidhje me këtë ngjarje.


