Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për plagosjen në sy të Erjon Vishkullit gjatë protestës së 24 tetorit në kryeqytet. Në kuadër të të njëjtit procedim penal, po hetohen edhe dyshimet për përdorim joproporcional të forcës nga punonjës të Policisë së Shtetit ndaj protestuesve.
Sipas njoftimit zyrtar, Prokuroria ka regjistruar kryesisht procedimin penal nr. 7806 të vitit 2026, për vepra penale që lidhen me shpërdorimin e detyrës dhe kryerjen e veprimeve arbitrare.
Pas ngjarjes, hetuesit kanë administruar pamjet filmike të vëna në dispozicion nga Banka e Shqipërisë, kartelën mjekësore të Vishkullit pranë Spitalit Universitar të Traumës, si dhe kanë kryer veprime hetimore në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Prokuroria bën të ditur se po punohet edhe për përcaktimin e mënyrave të komunikimit me autoritetet italiane, me qëllim dërgimin e një letërporosie në Itali, në kuadër të hetimit për rastin.
Paralelisht, hetimet përfshijnë edhe dëmtimin e protestuesve të tjerë, mes dyshimeve për përdorim joproporcional të forcës nga efektivët e policisë. Deri tani janë administruar rreth 20 kartela mjekësore të personave të dëmtuar, ndërsa verifikimet po kryhen në bashkëpunim me AMP-në.
Hetimet vijojnë për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjeve dhe për të përcaktuar përgjegjësitë eventuale.
NJOFTIMI I PROKURORISË:
Prokuroria Tiranë nis hetim kryesisht për dëmtimin e shtetasit E.V. gjatë protestave në kryeqytet. Hetime edhe për përdorimin jo proporcional të forcës nga policia
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë bën me dije se ka regjistruar kryesisht procedimin penal nr.7806, të vitit 2026, për veprat penale të parashikuara nga nenet 248 dhe 250 të Kodit Penal, në lidhje me dëmtimin e shtetasit E.V. gjatë protestave të zhvilluara në kryeqytet.
Menjëherë pas ngjarjes të regjistruar më 24.10.2026, nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë janë kryer veprimet e nevojshme hetimore, ndër të cilat si administrimi i pamjeve filmike të vëna në dispozicion nga Banka e Shqipërisë, marrja e kartelës mjekësore pranë Spitalit Universitar të Traumës, si dhe kryerja e veprimeve hetimore në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Gjithashtu, në kuadër të hetimeve po punohet për përcaktimin e mënyrave konkrete të komunikimit me autoritetet italiane, me qëllim përcjelljen e një letërporosie drejtpërdrejt pranë këtyre autoriteteve.
Hetimet vijojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj në përputhje me parashikimet ligjore në fuqi.
Gjithashtu në të njëjtin procedim po hetohet dhe po kryhen veprime në lidhje me dëmtimin e disa shtetasve, pas dyshimeve për përdorimin jo proporcional të forcës nga disa punonjës së policisë së shtetit në protesta.
Deri në këtë fazë janë administruar rreth 20 kartela mjekësore të shtetasve të dëmtuar dhe po kryen verifikimet për këto raste me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP).


