Serbia është përfshirë nga festimet pas fitores së lëvizjes së drejtuar nga studentët në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duke i dhënë fund pushtetit të Partisë Progresive Serbe (SNS), të drejtuar nga Aleksandar Vuçiç.
Sipas rezultateve paraprake të raportuara nga autoritetet zgjedhore, me 96% të qendrave të votimit të numëruara, lista e mbështetur nga studentët kishte marrë 2,24 milionë vota, kundrejt 1,67 milionëve të partisë së Vuçiçit. Sipas shifrave paraprake të publikuara të hënën, lëvizja e studentëve kishte siguruar 52,65% të votave, ndërsa SNS-ja 39,2%.
“Është e qartë se i kemi humbur këto zgjedhje”, deklaroi Vuçiç, duke pranuar humbjen e partisë së tij.

Festimet shpërthyen në Beograd, Novi Sad dhe qytete të tjera, ku qytetarët dolën në rrugë me thirrje për fitore, fishekzjarrë dhe brohoritje. Lëvizja studentore u krijua pas shembjes së tendës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, në një tragjedi ku humbën jetën 16 persona. Ngjarja nxiti protesta kundër korrupsionit dhe neglizhencës së pretenduar të autoriteteve.

Studentët vendosën të garonin në zgjedhje me një listë kandidatësh nga fusha të ndryshme të shoqërisë, përfshirë mjekë, akademikë, aktorë dhe sportistë. Fushata e tyre u përqendrua te lufta kundër korrupsionit, përgjegjësia e zyrtarëve dhe depolitizimi i institucioneve publike.
Humbja shënon një zhvillim të rëndësishëm për skenën politike serbe, ku partia e Vuçiçit ishte në pushtet që prej vitit 2012. Tashmë vëmendja është përqendruar te formimi i qeverisë së re dhe te emri që do të propozohet për postin e kryeministrit.
Zgjedhjet presidenciale në Serbi pritet të mbahen në dhjetor, ndërsa zhvillimet e fundit mund të shënojnë një etapë të re në politikën e vendit.


