Protesta e studentëve në kryeqytet ka vijuar edhe këtë të mërkurë, më 14 tetor, me tensione të larta, përplasje me policinë dhe episode të dhunshme para Ministrisë së Arsimit, në Rrugën e Durrësit.
Situata është përshkallëzuar gjatë tubimit, ku një grup protestuesish kanë ndezur zjarr në ambientet e Ministrisë së Arsimit. Nga ballkonet e godinës është parë të dalë tym i zi, ndërsa deri më tani nuk ka informacion të konfirmuar se çfarë është djegur brenda ambienteve të institucionit.
Gjatë protestës, studentët kanë vijuar të hedhin gurë në drejtim të godinës së ministrisë. Në përgjigje, policia ka përdorur gaz lotsjellës për shpërndarjen e protestuesve, duke bërë që një pjesë e tyre të largohen nga zona.
Tensionet e ditës së dytë të protestës janë shoqëruar edhe me incidente në ambiente private. Gjatë tubimit, protestuesit i kanë vënë flakën ambienteve të një filiali të kompanisë IuteCredit në Rrugën e Durrësit, duke shkaktuar shqetësim për sigurinë në zonë.

Për shkak të përshkallëzimit të situatës, administrata është urdhëruar të ndërpresë punën dhe të largohet nga zyrat për t’u kthyer në banesa. Zyrat e administratës janë mbyllur deri në një urdhër të dytë.
Gjithashtu, për arsye sigurie, është ndërprerë energjia elektrike në zonën ku u dogjën ambientet e biznesit privat, si masë parandaluese për të shmangur rreziqe të tjera.
Protesta vijon mes tensioneve
Protesta e studentëve vjen një ditë pas tubimit të 13 tetorit, i cili zgjati rreth nëntë orë dhe u shoqërua me përplasje të forta, dëme materiale dhe dhjetëra persona të shoqëruar e të lënduar.
Studentët kanë kërkuar kushte më të mira, më shumë mbështetje dhe perspektivë për të ardhmen në Shqipëri. Megjithatë, protestat janë shoqëruar me akte dhune, dëmtime të pronës publike dhe private, si dhe përplasje të vazhdueshme me forcat e rendit.
Situata në zonën e Ministrisë së Arsimit dhe në Rrugën e Durrësit mbetet e ndjeshme, ndërsa zhvillimet e mëtejshme pritet të përcaktojnë nëse protesta do të shoqërohet me incidente të tjera.


